RTV 21

Adresa: Pallati i mediave, aneks II

Prishtinë
Telefoni: 038/550-088
Website: www.rtv21.tv

Në tregun medial të Kosovës, Radio Televizioni 21 (RTV21) u themelua në Prishtinë në vitin 1998, si medium bashkëkohorë duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë kosovare për informim në të gjitha sferat shoqërore.
Themeluesit e kompanisë kanë përdorur teknologjinë më të re për të transmetuar përmbledhje ngjarjesh ditore në mënyre sa më të pavarur lidhur me keqësimin e situatës politike në Kosovë, para se të fillonte bombardimi i NATO-s në vitin 1999. Si një alternativë kundrejt mediave të kontrolluara nga shteti Serb, Radio 21 ndërtoi një komunikim me audiencën e vet fillimisht përmes radios në internet, ndërsa pas luftës edhe në transmetim tokësor dhe satelitor. Radio 21 filloi transmetimin në maj të vitit 1998 përmes internetit dhe prej janarit 1999 filloi të përdorë një audio-kanal satelitor të BBC World Service. Në mars të vitit 1999 me fillimin e bombardimit 78 ditësh të forcave të NATO-s, forcat paramilitare Serbe dëbuan nga Kosova themeluesit dhe punëtorët e Radios 21.
Në egzil, në Maqedoni, Radio 21 rihapi faqen e vet të internetit në prill të vitit 1999,(vetëm 14 ditë pas pezullimit të transmetimit). Pas vetëm 1 muaji, saktësisht në maj të vitit 1999, Radios 21 i doli në ndihmë Radio Holanda- Amsterdam përmes së cilës Radio 21 filloi të transmetojë 2 orë e 30 minuta program të drejtpërdrejtë nga Shkupi.
Menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë ( qershor 1999), themeluesit dhe disa punonjës të Radio 21 u kthyen në Kosovë dhe nga Prishtina rifilluan transmetimin në internet si dhe filluan transmetimin tokësor në valët FM, 24 orë në ditë, duke i ofruar audiencës shqiptare informacione dhe argëtim. Qysh, para egzilit në Maqedoni menaxhmenti i Radio 21, kishte zhvilluar vizionin dhe konceptin edhe për hapjen e Televizionit 21. Kështu, në shtator të vitit 2000 Radio21 u licencua edhe me licencë kombëtare për transmetim televiziv dhe filloi nga puna Televizioni 21, përkatësisht RADIOTELEVIZIONI 21 .
RTV 21 fillimisht transmetoi 2 orë program origjinal në ditë. Pas një viti, në shtator të vitit 2001, RTV21 zgjeron skemën programore në 18 orë në ditë, kurse 50 për qind e programit ishte origjinal. Shumë shpejtë, qysh në vitin 2002 RTV21 arriti transmetimin 24 orë, me mbi 70 për qind të programit –prodhim vetanak i RTV21.
RTV21 shpejtë arriti standardet më të larta profesionale dhe teknologjike si organizatë multimediale që ka mision ndryshimet shoqërore, zhvillimin e demokracisë në Kosovë, duke u bërë mediumi më i pranuar dhe me besueshmëri të lartë tek audienca shqiptare në Kosovë dhe në SHBA e Evropë. Kjo për faktin se RTV 21 parim prijës të veprimit profesional dhe të pavarur pati dhe ka informimin e drejtë dhe të shpejtë, inspirimin dhe arsimimin e audiencës me programe që inkurajojnë angazhimin aktiv të qytetarëve të Kosovës për të marr pjesë në të gjitha çështjet shoqërore, politike dhe ekonomike që pasqyrojnë zhvillimin në Kosovë, si edhe shumë programe kulturore-sportive dhe argëtuese që përçojnë porosi edukative-arsimore, por i sjellin edhe argëtim e kënaqësi audiencës.
Moto e punës në RTV21është: Gjithmonë në shërbim të audiencës, qytetarëve. RTV21 transmeton:
• 24 orë program televiziv në ditë përmes rrjetit të KTTN
• 24 orë program televiziv në ditë përmes satelitit në Kosovë, Evropë si dhe në Amerikën Veriore për te shërbyer popullatën në Diasporë.
• 24 orë në ditë transmetim të radios në valët FM përmes rrjetit të KTTN si dhe përmes satelitit në Evropë dhe në Amerikën Veriore, gjithashtu “on-line” përmes internetit.
Kompania multimediale RTV21 në shtator të vitit 2007 startoi edhe me një program tjetër televizionin 21 PLUS. Ky program muzikor 24 orësh, është begatuar edhe me emisione të karakterit argëtues. RTV21 startoi edhe me programin tjetër Televizionin 21POPULLORE, që emeton muzikë popullore dhe ka për qëllim afirmimin e vlerave të këtij zhanri muzikor në trojet shqiptare. Në kuadër të zhvillimit të mëtejmë, RTV21 hap edhe dy programe televizive: Televizionin 21JUNIOR dhe Televizionin 21 MIX. Televizioni 21JUNIOR është kryesisht për fëmijë dhe adoleshentë, me emisione edukativo-arsimore por edhe seriale nga vendi e bota dhe filma të vizatuar e artistikë. Ndërkaq, TV 21 MIX është program i larmishëm televiziv me program 24 orësh, ku përfshihen emisionet më të suksesshme të TV21, si emisionet e sportit, arsimore, dokumentare, vendore dhe te huaja, por edhe emisionet e shumta nga lëmi i artit, shkencës, kulturës, e deri te debatet televizive politike që janë emetuar gjatë ditës, javës dhe muajit. RTV 21 MIX po zgjerohet dhe po pasurohet edhe me programe të tjera e të cilat emetohen live, sidomos në orët e pasdarkës.
Këto 4 kanale transmetohen përmes rrjetit kabllor dhe formave tjera të transmetimit bashkëkohorë.
RTV 21 së bashku me partnerin e vet Amerikan Media 21 themeloi buqetën e IPTV-së 21WorldTV. Kjo buqetë përfshinë 15 kanalet më të mira televizive nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia dhe 3 kanale televizive të huaja. 21 WorldTV ka shikuesit e vet në Amerikën Veriore, Evropë, Lindje të Afërt, Australi dhe Zelandë të Re.
21WorldTV ka shpërthyer edhe me një hap teknologjik përpara. Për herë të parë në historinë e televizioneve shqiptare RTV 21 së bashku me partnerët e vet në buqetën 21WorldTV u futën në IPHONE, IPAD dhe ITOUCH. Në kuadër të buqetës 21WorldTV në IPHONE, IPAD dhe ITOUCH ju do ta gjeni edhe buqetën 21WorldRadio dhe do të mund të dëgjoni tetë radiot më të mira të Kosovës dhe Ulqinit. Në 21WorldTV në IPHONE, IPAD dhe ITOUCH së shpejti edhe TV dhe Radio stacione tjera.
Kompania 21 ka themeluar edhe qendrën kulturore “SHESHI 21″, që shërben për aktivitete ku promovohen dhe afirmohen vlera të ndryshme kulturore e artistike. Njëherazi, “SHESHI 21” është edhe objekt me ambiente atraktive që ofron shërbime të shumta, për aktivitete të ndryshme, konferenca, trajnime, pritje, koncerte, promovime, ahengje, dasma e aktivitete të tjera kulturore e argëtuese me të gjitha shërbimet , përfshirë ushqimet nga kuzhina e pasur e restorantit të kësaj qendre.
* * *
Kompania 21, përkatësisht RADIOTELEVIZIONI 21 udhëhiqet nga Bordi i drejtorëve me këtë përbërje:
Afërdita Saraçini- Kelmendi, drejtoreshë e përgjithshme
Xheraldina Vula- zëvendëse e drejtoreshës së përgjithshme
Florin Kelemndi- drejtorë i PKAD-së
Eugen Saraçini – drejtorë i DIS-it
Ekrem Kelmendi, drejtorë financiarë
RTV21 ka këtë strukturë organizative të punës dhe menxhmentin :
Departamenti i Informacionit dhe Sportit: Drejtor, Eugen Saraçini
Departamenti i Programit Kulturo-Artistik- Dokumentar dhe i Aktualitetit, shkencës dhe arsimit- Drejtor Florin Kelmendi
Departamenti i Produkcionit- Drejtorë: Agron Vula dhe Astrit Idrizi
Departamenti i Promocionit- Drejtoreshë Valentina Saraçini
Departamenti i Teknikës- Drejtor: ing. Xhevdet Gashi
Departamenti i Financave dhe i resurseve humane – Drejtor Ekrem Kelmendi
Departamenti i Marketingut- Drejtor Eugen Saraçini
RTV21 ka edhe Këshillin Pogramor, i cili përbëhet nga menaxherët e departamenteve dhe redaktorët e redaksive. Këshilli Programor ka takimet e veta të rregullta javore me ç’rast udhëheqësit e departamenteve dhe anëtarët e Bordit të Kompanisë 21, së bashku trajtojnë çështje profesionale-programore por edhe zhvillimore të kësaj Kompanie. Kryetar i Këshillit Programor është Agim Binaku



Harta

RTV 21